Ndryshimi i vendimit per pergjegjesine prinderore

Vendimet gjyqësore që rregullojnë lënien për rritje dhe edukim të fëmijës, si edhe detyrimin ushqimor, merren duke u bazuar në rrethanat konkrete që ekzistojnë në momentin e zgjidhjes së martesës. Megjithatë, këto rrethana nuk janë të pandryshueshme, dhe ligji shqiptar parashikon shprehimisht mundësinë e ndryshimit të vendimit gjyqësor në rastet kur pas dhënies së tij ka ndodhur një ndryshim i rëndësishëm i kushteve faktike ose ekonomike të palëve. Lënia e fëmijës për rritje dhe edukim te njëri prind bazohet gjithmonë në interesin më të lartë të fëmijës, dhe nëse ky interes vihet në diskutim për shkak të rrethanave të reja, vendimi mund të rishikohet.

Ndryshimi i vendimit mund të kërkohet, ndër të tjera, kur prindi kujdestar nuk garanton më kushtet e nevojshme për rritjen dhe edukimin e fëmijës, ka ndryshuar ndjeshëm gjendja sociale, ekonomike ose shëndetësore e prindërve, fëmija ka nevoja të reja arsimore, shëndetësore ose psikologjike, ose kur njëri prind zhvendoset jashtë vendit ose ndryshon mënyrën e jetesës në dëm të fëmijës. Gjykata vlerëson çdo rast konkretisht, duke marrë parasysh moshën e fëmijës, lidhjen emocionale me secilin prind dhe stabilitetin e mjedisit familjar.

Gjithashtu, detyrimi ushqimor nuk ka karakter të pandryshueshëm dhe mund të rritet, ulet ose rregullohet ndryshe, në varësi të ndryshimeve në të ardhurat e prindit që paguan detyrimin, rritjes së nevojave të fëmijës me kalimin e moshës, ndryshimeve në gjendjen ekonomike të prindit përfitues ose krijimit të detyrimeve të reja familjare. Qëllimi i detyrimit ushqimor është të sigurojë një nivel jetese të përshtatshëm për fëmijën, duke ruajtur gjithashtu drejtësinë ndaj të dy prindërve dhe duke shmangur kthejen e tij në një barrë të padrejtë.

Në këtë kontekst, Kodit të Familjes i kushtohet një vëmendje e veçantë për të garantuar të drejtat dhe përgjegjësitë e të dy prindërve. Sipas Nenit 158, prindi që nuk i është dhënë fëmija për rritje dhe edukim ruan të drejtën të mbikëqyrë mbajtjen dhe edukimin e tij dhe për pasojë të informohet dhe të konsultohet për zgjedhjet e rëndësishme që lidhen me jetën e fëmijës, duke kontribuar në raport me burimet e tij dhe ato të prindit tjetër, ndërsa e drejta e vizitës dhe e banimit nuk mund t’i refuzohet përveç në rastet e arsyeve të rënda që mund të dëmtojnë interesin e fëmijës. Neni 159 parashikon qartësisht se vendimi lidhur me ushtrimin e përgjegjësisë prindërore mund të ndryshohet në çdo çast nga gjykata, me kërkesën e njërit prej ish-bashkëshortëve, një të afërmi ose të prokurorit. Po ashtu, Neni 160 saktëson se në rast të zgjidhjes së martesës me kërkesë të përbashkët, kushtet e marrëveshjes së miratuar nga gjyqtari lidhur me ushtrimin e përgjegjësisë prindërore mund të rishqyrtohen për shkaqe me rëndësi dhe sipas kërkesës së njërit prej ish-bashkëshortëve ose të prokurorit.

Çështjet që lidhen me fëmijët nuk janë thjesht procedura ligjore. Ato prekin përditshmërinë, sigurinë dhe të ardhmen e tyre, por edhe balancën emocionale të prindërve. Pikërisht për këtë arsye, çdo rast kërkon vëmendje, dëgjim dhe zgjidhje të ndërtuara me kujdes, duke pasur parasysh jo vetëm ligjin, por edhe pasojat reale për jetën e fëmijës dhe të familjes. Studio jonë ligjore ofron ndihmë dhe përfaqësim në rastet e ndryshimit të vendimit për lënien për rritje dhe edukim të fëmijës, si edhe për ndryshimin e detyrimit ushqimor, duke u përpjekur që zgjidhja ligjore të jetë e drejtë, e arsyeshme dhe në interesin më të mirë të fëmijës. Nëse po përballeni me një situatë ku rrethanat kanë ndryshuar dhe nuk dini si të veproni, mund të na kontaktoni për një këshillim të detajuar, për të kuptuar së bashku hapat ligjorë dhe opsionet e mundshme për të vepruar në mënyrë të sigurt dhe të qëndrueshme.