Dëmi në pronë – Cilat janë të drejtat tuaja?
Dëmi jashtëkontraktor lind kur një person pëson dëm nga veprime ose mosveprime të paligjshme të një tjetri. Njihuni me kushtet ligjore për të kërkuar dëmshpërblim, rëndësinë e sigurimit të provave dhe rolin e avokatit në mbrojtjen e të drejtave tuaja.
Jo çdo dëm lind nga moszbatimi i një kontrate. Në jetën e përditshme, një person mund të pësojë dëme në pronë, në shëndet apo në interesa të tjera të ligjshme si pasojë e veprimeve ose mosveprimeve të një personi tjetër. Në këto raste, ligji shqiptar parashikon institutin e dëmshpërblimit jashtëkontraktor, i cili synon të rikthejë, sa më shumë të jetë e mundur, gjendjen që do të ekzistonte nëse dëmi nuk do të ishte shkaktuar.
Në momentin që lind një situatë e tillë, roli i avokatit bëhet thelbësor për të vlerësuar nëse plotësohen kushtet ligjore për ngritjen e një kërkese për dëmshpërblim dhe për të orientuar personin drejt hapave të duhur ligjorë, duke shmangur veprime që mund të dëmtojnë më tej interesat e tij.
Kodi Civil përcakton se personi që, në mënyrë të paligjshme dhe me faj, i shkakton tjetrit një dëm në person ose në pasurinë e tij, është i detyruar ta shpërblejë atë. Megjithatë, e drejta për dëmshpërblim nuk lind automatikisht vetëm sepse është shkaktuar një dëm. Përpara gjykatës duhet të provohen disa elementë të rëndësishëm, si ekzistenca e dëmit, paligjshmëria e veprimit ose mosveprimit, faji i autorit dhe lidhja shkakësore ndërmjet veprimit dhe pasojës së ardhur.
Pikërisht në këtë fazë, avokati ndërton strategjinë ligjore të çështjes, identifikon provat e nevojshme dhe sigurohet që pretendimet e klientit të mbështeten jo vetëm në fakte, por edhe në bazën e duhur ligjore.
Një nga elementët më të rëndësishëm në çështjet e dëmshpërblimit është sigurimi i provës. Ka raste kur gjendja faktike mund të ndryshojë shumë shpejt: dëmtimet mund të riparohen, gjurmët mund të zhduken ose situata mund të mos jetë më e verifikueshme pas një periudhe kohe. Për këtë arsye, Kodi i Procedurës Civile i jep mundësi palës së interesuar t’i kërkojë gjykatës sigurimin e provës përpara se ajo të humbasë ose të bëhet e pamundur për t’u administruar.
Në praktikë, avokati është ai që vlerëson urgjencën e situatës dhe kërkon në kohën e duhur sigurimin e provës, duke shmangur rrezikun që më vonë dëmi të mos mund të provohet. Shpesh, koha është elementi që përcakton fatin e një procesi gjyqësor.
Sigurimi i provës mund të realizohet nëpërmjet kqyrjes së vendit, fotografimit të gjendjes ekzistuese, administrimit të dokumentacionit përkatës ose caktimit të një eksperti të licencuar, i cili analizon dëmtimet, përcakton shkakun e tyre dhe vlerëson koston e nevojshme për riparimin ose rikthimin e pronës në gjendjen e mëparshme. Ky ekspertim përbën një nga provat më të rëndësishme në procesin gjyqësor.
Në këtë procedurë, roli i avokatit nuk kufizohet vetëm në paraqitjen e kërkesës në gjykatë. Ai formulon pyetjet që do t’i drejtohen ekspertit, kërkon administrimin e provave më të përshtatshme dhe ndjek të gjithë procesin për t’u siguruar që ekspertiza të jetë e plotë dhe në përputhje me interesat e klientit.
Ligji njeh të drejtën për të kërkuar jo vetëm dëm material, siç janë shpenzimet për riparimin e një pasurie apo humbja ekonomike e pësuar, por edhe dëm moral, kur veprimet e paligjshme kanë shkaktuar vuajtje, shqetësim, cenim të jetës normale ose të dinjitetit të personit. Çdo rast vlerësohet individualisht nga gjykata mbi bazën e provave të administruara.
Për këtë arsye, avokati analizon të gjitha pasojat që ka sjellë dëmi dhe kërkon që klienti të kompensohet në mënyrë të plotë, duke mos u kufizuar vetëm te dëmtimi fizik i pronës, por edhe te pasojat që ai ka sjellë në jetën e përditshme.
Shumë persona zgjedhin të mos ndjekin rrugën ligjore, duke menduar se procesi është i ndërlikuar ose se dëmi nuk mund të provohet. Në realitet, një veprim i shpejtë, mbledhja e provave në kohën e duhur dhe ndjekja e procedurave të parashikuara nga ligji janë faktorët që ndikojnë drejtpërdrejt në mbrojtjen e të drejtave të dëmtuarit.
Prandaj, këshillimi me një avokat që në momentet e para është një nga hapat më të rëndësishëm. Një asistencë profesionale jo vetëm rrit mundësinë e suksesit në proces, por ndihmon edhe në shmangien e gabimeve procedurale që mund të cenojnë të drejtën për dëmshpërblim.
Nëse ju ose prona juaj keni pësuar dëm si pasojë e veprimeve ose mosveprimeve të një personi tjetër, ligji ju njeh të drejtën të kërkoni mbrojtje dhe dëmshpërblim. Mbrojtja e kësaj të drejte fillon me administrimin e provave të duhura dhe ndjekjen e procedurave ligjore në kohën e duhur.
Kontaktoni “Avokat & Law Firm” për asistencë profesionale në çështjet e dëmshpërblimit jashtëkontraktor, sigurimit të provës dhe mbrojtjes së të drejtave tuaja.