Ndarja e pasurisë pas divorcit
Ky artikull shpjegon se çfarë ndodh me pasurinë e krijuar gjatë martesës pas zgjidhjes së saj dhe si zhvillohet procesi i pjesëtimit të pasurisë, duke u ndalur në dy fazat kryesore dhe në rëndësinë e asistencës së avokatit.
Divorci i jep fund martesës, por jo domosdoshmërisht edhe çdo marrëdhënie pasurore që bashkëshortët kanë krijuar gjatë viteve të jetës së përbashkët.Pas zgjidhjes së martesës, mund të mbetet për t’u zgjidhur një çështje tjetër shumë e rëndësishme: pjesëtimi i pasurisë bashkëshortore. Këtu është e rëndësishme të bëhet një dallim: zgjidhja e martesës dhe pjesëtimi i pasurisë janë dy procese të veçanta. Pjesëtimi i pasurisë trajtohet pas zgjidhjes së martesës dhe në një proces më vete. Kjo do të thotë se vendimi që zgjidh martesën nuk nënkupton automatikisht edhe ndarjen e pasurisë.
Çfare ndodh me pasurine e krijuar gjate marteses?
Gjatë një martese mund të jenë krijuar ose blerë apartamente, shtëpi, toka, automjete, kursime apo pasuri të tjera. Por, pas divorcit, pyetja nuk është thjesht “në emër të kujt është pasuria?”. Duhet të vlerësohet kur është krijuar pasuria, në çfarë mënyre është fituar, cili ka qenë regjimi pasuror i martesës dhe çfarë të drejtash i takojnë secilit ish-bashkëshort.
Pikërisht këtu nis rëndësia e një analize juridike të kujdesshme. Përpara se të ndërmerret procesi, avokati analizon dokumentet e pronësisë, kontratat dhe mënyrën e krijimit të pasurisë, në mënyrë që kërkimi në gjykatë të jetë i qartë dhe i mbështetur në prova.
Pjestimi i pasurise zhvillohet me dy faza.
Procesi gjyqësor i pjesëtimit të pasurisë karakterizohet nga dy faza kryesore.
Faza e parë- Përcaktimi i te drejtave te secilit ish-bashkeshort. Në fazën e parë shqyrtohet se cilat pasuri i nënshtrohen pjesëtimit dhe cilat janë pjesët që i takojnë secilit ish-bashkëshort. Gjykata analizon dokumentet që provojnë të drejtat mbi pasurinë, mënyrën e fitimit të saj dhe elementet e tjera që lidhen me marrëdhënien pasurore të ish-bashkëshortëve. Këtu roli i avokatit është i rëndësishëm që në fillim: identifikimi i saktë i pasurive, mbledhja e dokumentacionit dhe paraqitja e provave mund të ndikojnë drejtpërdrejt në mënyrën se si përcaktohet objekti i procesit dhe pjesa që pretendohet nga secila palë.
Në përfundim të kësaj faze, gjykata përcakton të drejtat e palëve mbi pasurinë objekt pjesëtimi.
Faza e dyte- Si do te ndahet konkretisht pasuria? Pasi janë përcaktuar pjesët që u takojnë ish-bashkëshortëve, shqyrtohet mënyra konkrete e pjesëtimit. Kur pasuria mund të ndahet fizikisht, mund të bëhet ndarja në pjesë sipas të drejtave të përcaktuara. Por jo çdo pasuri mund të ndahet në këtë mënyrë. Mendoni për një apartament, për shembull. Nuk është gjithmonë e mundur që ai të ndahet fizikisht pa humbur funksionin ose vlerën e tij. Në këto raste, mund të shqyrtohen zgjidhje të tjera, si kalimi i pasurisë te njëri prej ish-bashkëshortëve kundrejt kompensimit të pjesës së tjetrit ose shitja e pasurisë dhe ndarja e vlerës së përfituar sipas pjesëve përkatëse.
Për përcaktimin e vlerës së pasurisë dhe mundësisë konkrete të pjesëtimit, gjykata mund të mbështetet edhe në ekspertizë.
Pse Avokati eshte i rendesishem ne kete proces?
Pjesëtimi i pasurisë pas divorcit nuk është thjesht një çështje “ta ndajmë përgjysmë”. Çdo situatë ka dokumentet, pasuritë dhe rrethanat e veta. Një avokat duhet të analizojë që në fillim se cilat pasuri përfshihen, çfarë dokumentesh ekzistojnë, çfarë kërkohet të provohet dhe cila është mënyra juridike për të mbrojtur interesat e klientit. Sidomos kur në proces përfshihen disa pasuri, prona të paluajtshme me karakteristika të ndryshme apo mosmarrëveshje mbi pjesët që i takojnë secilit, përgatitja e çështjes bëhet edhe më e rëndësishme. Në fund të fundit, pas një martese nuk mbetet vetëm një histori personale. Mund të mbeten vite pune, kursime, një shtëpi e krijuar me mund, një pronë e blerë gjatë jetës familjare. Prandaj, edhe pjesëtimi i pasurisë meriton të trajtohet me kujdes, qartësi dhe vlerësim të saktë juridik. Nëse martesa juaj ka përfunduar dhe keni pasuri të krijuara gjatë martesës që ende nuk janë pjesëtuar, një vlerësim juridik i situatës konkrete është hapi i parë për të kuptuar të drejtat tuaja dhe mënyrën se si mund të ndiqet procesi.
Kontaktoni “Avokat & Law Firm” për këshillim dhe asistencë juridike në çështjet e pjesëtimit të pasurisë pas divorcit.