Njohja e pronësisë me parashkrim fitues
Çështjet e pronësisë në Shqipëri vazhdojnë të jenë ndër temat më të ndjeshme dhe më komplekse në praktikën gjyqësore. Një nga konceptet që shpesh përmendet në këto raste është parashkrimi fitues, një institut juridik që në pamje të parë duket si zgjidhje për situata ku prona është përdorur për shumë vite pa dokumente formale pronësie. Megjithatë, zbatimi i tij kërkon përmbushjen e kushteve shumë të qarta ligjore dhe nuk është i aplikueshëm në çdo rast.
Çfarë është parashkrimi fitues?
Parashkrimi fitues është mënyra përmes së cilës një person mund të fitojë pronësinë mbi një pasuri të paluajtshme, nëse e ka poseduar atë në mënyrë të qetë, të pandërprerë dhe publike për një periudhë të caktuar kohe. Sipas legjislacionit civil shqiptar, kjo periudhë është:
• 10 vjet kur ekziston një titull juridik, edhe nëse ai ka mangësi
• 20 vjet kur mungon plotësisht një titull juridik
Por koha, e vetme, nuk mjafton. Ligji kërkon që posedimi të jetë me vullnet pronari, pra me bindjen dhe sjelljen sikur je pronar i sendit, dhe pa kundërshtim nga titullari i ligjshëm.
Rasti konkret: Posedim brenda martesës
Në rastin konkret, apartamenti është dhënë në vitin 1992 nga ish Fabrika e Miellit në Tiranë nëpërmjet procesit të privatizimit, në emër të ish vjehrrit, dhe deri më sot rezulton pa tapí. Pas martesës në korrik 1991, bashkëshortët kanë jetuar në këtë apartament për rreth 27 vjet, së bashku me fëmijët. Faturat e energjisë elektrike dhe ujit janë në emër të ish bashkëshortit.
Pas hartimit të kërkesës për padi divorcit në vitin 2019, lind pyetja nëse mund të ngrihet padi për njohje pronar me parashkrim fitues ndaj ish vjehrrit.
Në këtë situatë, elementi kyç është natyra e posedimit. Banesa është përdorur në kuadër të marrëdhënies martesore dhe familjare. Pra, përdorimi i saj ka ardhur si pasojë e lidhjes me bashkëshortin dhe familjen e tij, jo si një posedim i pavarur dhe me pretendim të drejtpërdrejtë pronësie kundrejt titullarit.
Ligjërisht, kjo nuk përmbush kriterin e posedimit me animus domini, që do të thotë me vullnet pronari. Përdorimi i një pasurie si pjesë e jetës familjare nuk barazohet me posedim të pavarur juridik.
Pse një padi për parashkrim fitues do të ishte e pabazuar?
Që një padi për parashkrim fitues të pranohet, duhet të provohet se:
• posedimi ka qenë i qetë dhe i pandërprerë
• posedimi ka qenë publik dhe jo i fshehtë
• poseduesi është sjellë si pronar
• titullari i ligjshëm nuk ka vepruar për një periudhë të gjatë kohe
Në rastin e një bashkëjetese martesore në një pronë të familjes së bashkëshortit, mungon elementi i pavarësisë në posedim. Ju nuk keni hyrë në posedim kundrejt pronarit, por përmes një marrëdhënieje familjare. Kjo e bën juridikisht të pabazuar një kërkesë për njohje pronësie me parashkrim fitues.
Gjykatat janë mjaft rigoroze në interpretimin e këtij instituti, pikërisht sepse parashkrimi fitues është një përjashtim nga rregulli i përgjithshëm i fitimit të pronësisë me kontratë, trashëgimi apo forma të tjera të parashikuara shprehimisht nga ligji.
A ka rrugë të tjera ligjore?
Edhe pse parashkrimi fitues nuk duket një rrugë e përshtatshme në këtë rast, kjo nuk do të thotë se nuk ekzistojnë alternativa të tjera ligjore. Në varësi të rrethanave konkrete, mund të shqyrtohen:
• të drejtat që burojnë nga regjimi pasuror martesor
• kontributi në përmirësimin ose investimin në pasuri
• ndarja e pasurisë së përbashkët
• pretendime të tjera civile që lidhen me përdorimin ose investimet
Çdo rast kërkon analizë të detajuar të dokumentacionit dhe rrethanave faktike.