Rehabilitimi Penal, kur Ligji ju jep mundësinë të rezultoni "I Padënuar"
Shumë punëdhënës, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat, kërkojnë paraqitjen e dëshmisë së penalitetit gjatë procesit të rekrutimit. Kur në këtë dokument rezulton statusi “i dënuar”, kandidati mund të përballet me refuzim të punësimit ose me vështirësi të konsiderueshme, edhe pse ka kaluar shumë kohë nga dënimi dhe ai ka treguar se është riintegruar plotësisht në shoqëri
Për shumë persona që kanë vuajtur një dënim penal dhe kanë vazhduar jetën duke respektuar ligjin, një nga pengesat më të mëdha mbetet dëshmia e penalitetit. Edhe pse dënimi është shlyer prej vitesh, pasojat e tij mund të vazhdojnë të ndikojnë në jetën personale dhe profesionale.
Një nga rastet më të zakonshme është aplikimi për një vend pune. Shumë punëdhënës, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat, kërkojnë paraqitjen e dëshmisë së penalitetit gjatë procesit të rekrutimit. Kur në këtë dokument rezulton statusi “i dënuar”, kandidati mund të përballet me refuzim të punësimit ose me vështirësi të konsiderueshme, edhe pse ka kaluar shumë kohë nga dënimi dhe ai ka treguar se është riintegruar plotësisht në shoqëri.
Pikërisht për këtë arsye, legjislacioni shqiptar parashikon institutin e rehabilitimit penal, i cili u jep mundësinë personave që plotësojnë kushtet ligjore të konsiderohen sërish “të padënuar” në dëshminë e penalitetit.
Sipas ligjit, rehabilitohen:
-personat e dënuar me burgim deri në 6 muaj ose me një dënim më të lehtë, nëse për 2 vjet nga përfundimi i vuajtjes së dënimit nuk kanë kryer një vepër tjetër penale;
-personat e dënuar me burgim nga 6 muaj deri në 5 vjet, nëse për 5 vjet nga përfundimi i vuajtjes së dënimit nuk kanë kryer një vepër tjetër penale;
-personat e dënuar me burgim nga 5 deri në 10 vjet, nëse për 7 vjet nga përfundimi i vuajtjes së dënimit nuk kanë kryer një vepër tjetër penale;
-personat e dënuar me burgim nga 10 deri në 25 vjet, nëse për 10 vjet nga përfundimi i vuajtjes së dënimit nuk kanë kryer një vepër tjetër penale.
Kur këto kushte janë përmbushur, ligji parashikon që në dëshminë e penalitetit personi të rezultojë “i padënuar”.
Megjithatë, në praktikë hasen raste kur, pavarësisht plotësimit të të gjitha kushteve ligjore, dëshmia e penalitetit vazhdon të pasqyrojë statusin “i dënuar“. Një situatë e tillë mund të ndikojë drejtpërdrejt në mundësitë për punësim, në aplikimet për licenca apo autorizime, si edhe në procedura të tjera administrative ku kërkohet paraqitja e dëshmisë së penalitetit.
Çdo rast kërkon një vlerësim të kujdesshëm juridik. Një avokat analizon nëse janë plotësuar kushtet e rehabilitimit, verifikon dokumentacionin dhe ndjek procedurat ligjore pranë institucioneve kompetente për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e klientit. Përvoja profesionale e avokatit është vendimtare për të identifikuar çdo parregullsi dhe për të siguruar që statusi juridik të pasqyrohet në përputhje me ligjin.
Nëse besoni se i përmbushni kushtet për rehabilitim ose keni konstatuar se dëshmia juaj e penalitetit nuk pasqyron statusin që parashikon ligji, këshillimi dhe përfaqësimi nga një avokat mund të jetë hapi i duhur për mbrojtjen e të drejtave tuaja.
Kontaktoni “Avokat & Law Firm” për një konsultë ligjore dhe lejoni që çështja juaj të trajtohet nga profesionistë me përvojë.